×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Sveçla: Hedhja e granatës të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë

    Insajderi
    22 September 2023 - 10:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mbrëmë është dëgjuar shpërthimi i një granate dore në Mitrovicën e Veriut.

    Sipas policisë bëhet fjalë për një shpërthim të një granate dore, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

    Për këtë ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale sipas tij nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

    Sipas Sveçlës, kjo është bërë në shenjë revolte pas arrestimit të tre serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

    “Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, ka shkruar Sveçla në rrjetin e tij në Facebook.

    “Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, është shprehur Sveçla.

    Tutje ai ka thënë se Serbia jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës.

    “Inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shkruar tutje Sveçla.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark