×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Xhelal Sveçla i përgjigjet Rashit Qalajt: As nuk shantazhohemi, as nuk zmbrapsemi

    Insajderi
    04 May 2023 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme, i është përgjigjur Rashit Qalajt deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili sot ka thënë se “Qeveria Kurti për ndërhyrje në Policinë e Kosovës”.

    “Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj”, ka thënë Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sot në Kuvendin e Kosovës, Qalaj ka thënë se ministri Sveçla i ka mbajtur për 12 orë shefat e divizioneve të hetimeve të Policisë së Kosovës, duke i marrë ata në pyetje në një objekt në Parkun Nacional në Blinajë.

    “Në fillim të marsit, ministri i Brendshëm [Xhelal Sveçla] në objektin e MPB-së në Parkun Nacional në Blinajë përafërsisht 12 orë ka mbajtur shefat e hetimeve të Departamentit të hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor që është e kundërligjshme. Disa njësi siç është task-forca i japin llogari Prokurorisë Speciale, ndërsa detyrohen që t’i raportojnë ministrit”, deklaroi ai.

    Kësaj deklarate i është përgjigjur Sveçla.

    “Takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme”, i është përgjigjur Sveçla, Qalajt.

    Ai tutje ka thënë se qeveria nuk ka rrugë tjetër “përveç asaj të luftimit të krimit”.

    “Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zmbrapsemi”, ka përfunduar shkrimin Sveçla.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark