×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    53+44 baras me: InDoks sjell rrëfimin për misterin milionësh të PAN-it

    Insajderi
    01 March 2022 - 10:53

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special kundër ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, ish-zyrtarit në ministrinë e Infrastrukturës Nebih Shatri dhe shefit të kabinetit të Pal Lekajt Eset Berisha.

    Visar Duriqi/Donjeta Islami

    Një aktakuzë kundër tij, këshilltarit të tij, Eset Berisha, ish-Sekretuarit Permanent, Nebih Shatri dhe Drejtorit të Prokurimeve, Besim Tahiri tashmë është deponuar në Gjykatë nga Prokuroria Speciale.

    Ata po akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme ia deponuan në xhirollogarinë e kompanisë amerikano-turke, ‘Bechtel – Enka” hiç më pak se sa 53 milionë euro për shtyrje afati.

    Dosja e Prokurorisë që e ka siguruar InDoks zbulon se në atë periudhë, kompanisë ‘Bechtel-Enka’ nuk iu bartën vetëm 53 milionët, por edhe një shumë tjetër prej 44 milionësh. Kjo madje, del të jetë edhe më e dyshimtë se e para, pasi që u bë pa u nënshkruar nga zyra e zyrtari që ligji e thotë që duhej të nënshkruhej.

    InDoks ka trajtuar edhe njëherë këtë aferë. Një misteri me miliona në mes të Qeverisë së PDK-së, AAK-së e Nismës që njihej si Qeveria PAN,  që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj dhe kompanisë amerikano-turk “Bechtel-Enka”.

    Flasin ata që u akuzuan. Mbrojtës të tyre. Zyrtarë të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit. Zbulohen detaje nga dosja.

    Autostrada “Arbën Xhaferi”, e shkurton kohën e udhëtimit Prishtinë-Shkup shumë. Por, shumë i kushtoi edhe buxhetit të shtetit. Ka kushtuar mbi 700 milionë euro, apo afro 100 milionë më shumë se sa që ishte proklamuar në fillimet e saj.

    Me vonesa e telashe, vite pasi që u përurua, misterin e këtyre afro 100 milionëve ka filluar ta zbardhë Prokuroria Speciale.

    Kryefjala e këtij hetimi deri tash del të jetë Pal Lekaj, Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

    Pal Lekaj është njëri nga deputetet lehtë të qasshëm nga mediat. Jep intervista. I kontaktuar nga InDoks pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale për aferën 53 milionë për ‘Bechtel-Enka’an’, ai nuk ka pranuar që të flas vet. Tha që për këtë rast të flas avokati i tij, Musa Damati.

    Musa Damati – Avokat i Pal Lekajt

    “Konkretisht aktakuza është në stadin e saj se është ngritur dhe tani i takon gjykatës kompetente përkatësisht Departamentit Special, pranë së cilës është ngritur që të konvenkojë seancën fillestare të komunikojë materialet për mbrojtjen dhe aktin akuzues, ajo se çka është relevante të potencohet në cilësinë e mbrojtësit të Ish-ministrit të Infrastrukturës është fakti i pa kontestueshëm se vendimi i cili është marrë lidhur me këtë çështje ka qenë vendim kolegjial, jo vendim individual si vendim individual i Ish-ministrit por një vendim kolegjial i cili është marrë nga një grup punues i themeluar nga Qeveria e atëhershme, pra, në kuptimin e mbrojtje vlerësojmë dhe konsiderojmë që aktakuza nuk mund të ketë elemente apo argumente të forta juridike, të cilat mund të rezultojnë me diçka konkrete”, ka thënë Damati.

    Ky avokat ka vërejtjet e tij për mënyrën se si është ngritur aktakuza, që në fakt u ngrit vetëm një ditë para se Prokurorisë ti kalonte afati maksimal prej dy vitesh e gjysmë sa ka hetuar. Dhe për vetë mënyrën se si po trajtohen të akuzuarit.

    “Vepra penale për të cilën akuzohet është i dyshuar nga kapitulli i veprave penale të korrupsionit, por, lidhur me këtë duhet të bëhet një konfirmim zyrtar se kjo aktakuzë a i përmbush kushtet e saj sepse ne vlerësojmë që aktakuza është tejet e dobët e pa qëndrueshëm dhe në mënyrë se si është punuar ajo mund të pësoj edhe ndryshime gjatë fazave të më vonshme të procedurës penale”, tha ai.

    “Është misterioze si çështje se si është iniciuar dhe punuar në këtë drejtim sepse në një çështje në të cilën pretendon Prokuroria Speciale se është shumë serioze dhe të pritet në këtë mënyrë qenë ditën e fundit të ngritët është tepër jo serioze dhe është në aspektin e argumenteve ligjore është tepër e pakuptueshme se pse ka ndodhur kjo se pse pikërisht në ditën e fundit është bërë ngritja e saj përderisa ka qenë një periudhë kohor në të cilën edhe më parë në rast kishte pas prova kishin mujt me u procedu edhe më parë”, thekson pala mbrojtëse e Lekajt.

    Gjatë intervistë mbrojtësi i Lekajt ka përmendur edhe tendencat politike që sipas tij ndikuan në gjykimin ndaj ish-minsitrit.

    “Lidhur me klientin tim ish-ministrin e Infrastrukturës konsiderojmë se ky rast ka fillu si një kampanjë politike më tepër dhe ka filluar më tepër si një spektakël mediatik ndërsa në aspektin e punës profesionale vlerësojmë se ka tepër pak argumente ligjore, të bazuara sipas legjislacionit në fuqi në bazë të së cilave është dashur të ngritët një aktakuzë prandaj edhe unë konsiderojë që është në disavantazh shumë të madh për arsye se fillimisht është gjykuar publikisht  e më pas në bazë të presionit publikut ka arrite edhe para një aktakuzës me të cilën ne do të ballafaqohemi në pikëpamje profesionale dhe presim që aktakuza të pësojë ndoshta edhe ndryshime në fazat e më vonshme të procedurës penale”, sqaroi ai.

    Por, çka thotë dosja e Prokurorisë për rastin e 53 milionëve, një kopje të së cilës e ka siguruar InDoks?

    Dy Prokurorët që e kanë nënshkruar këtë dosje, Valdet Gashi e Atdhe Dema akuzojnë Pal Lekajn se në shtator 2017 si Ministër i Infrastrukturës  dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror, Nebih Shatri, si sekretar  i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës.

    Akuzohen se duke shkelur ligjin e prokurimit e përkundër kontratës së nënshkruar me ‘Bechtel-Enka” në vitin 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të Ministrisë për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë duke mos e përcaktuar koston financiare.

    Ky veprim, sipas Dosjes i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes kërkesën për pagesën fillimisht prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit, kërkesë më pas që zbriti në 53 milionë.

    Rrjedha, sic pretendon Prokuroria pagesa u aprovua nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”,  me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë eurosh më shumë se sa kishte paraparë opinioni i mbikëqyrësit  “Hill Internacional”.

    Prokuroria pretendon po ashtu se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në cilësinë e personave zyrtarë, Pal Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare kanë marrë pjesë në këtë aferë.

    Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me “Bechtel & Enka” në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Eset Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017,  detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

    Organi i akuzës thotë se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, Ministria t’i paguajë konzorciumit amerikano-turk 53 milionë eurot.

    Prokurorët e këtij rasti pretendojnë që  Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së, që ishin ministra të dikasterve përkatës të përfshirë në projekt i autostradës që çon në Shkup.

    Pos që i injoruan ministrat e tjerë pjesë e Komitetit, Prokuroria pretendon se dyshja Lekaj me ndihmën e Berishës, ka injoruar në tërësi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, sipas të cilit opinion shuma reale që duhej ti paguhjej ‘Bechtel-Enkes’ ishte veç 14.7  milionë euro.

    Sipas Dosjes, Lekaj këtë opinion të “Hill” nuk ua paraqiti në komitetin për këtë punë hiç kolegëve të tij ministra të qeverisë PAN.

    Ish-Këshilltari i tij, tash avokati Eset Berisha akuzohet se më 1 qershor 2018 në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e tij e në bashkëpunim të plotë me Lekaj, i kanë bërë presion drejtorit të Departamentit Ligjor të MI-së, Avdi Kamerolli, duke i kërkuar ndryshim të opinionit ligjor paraprak, në të cilin opinion rreth kërkesës për kosto financiare, përveç tjerash është konstatuar se: “Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” si përfaqësues i punëdhënësit dhe Departamenti i Prokurimit si nënshkrues i kontratës”.

    Ashtu që thuhet se më pas Kamerolli nën presion është detyruar ta ndryshojë versionin origjinal të opinionit të parë, me ç’rast  ka hartuar versionin e ri duke e hequr kompaninë “International Hill” dhe duke lënë si palë kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit, veprime këto që i kanë paraprirë ekzekutimit të pagesës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

    Sipas Prokurorisë Speciale këto veprime kanë shtyrë anëtarët e KDNM-së, ministra të dikastereve të tjera në Qeverinë PAN, të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, në takimin e 5 qershorit 2018 të marrin vendim duke i rekomanduar Qeverisë që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë euro.

    I akuzuar nga Prokuroria Speciale dhe i përfshirë në aferën 52 milionë, Eset Berisha ka folur ekskluzivisht për InDoks. Ai ka sqaruar pozicionin e tij në atë periudhë e në atë zhvillim.

    Eset Berisha – i akuzuar

    “Fillimisht unë kam filluar si këshilltar politik i ministrit Lekaj diku në dhjetor të vitit 2017-të prej asaj kohe deri me 19 janar 2019 e kam ushtru funksionin e këshilltarit politik në kabinetin e ministrit kontrata apo zgjatja e kontratës mes kompanisë amerikane ‘Bechtel’ dhe Qeverisë së Kosovës ishte bërë diku në shtator të vitit 2017 , pra para kohës se sa unë të merrja funksioni e këshilltarit politik të ministrit Lekaj ndërsa me sa kam pa nga provat të cilat i ka dorëzuar prokuroria por jo edhe aktakuzën për shkak se ende nuk e kemi marrë vetëm pjesë të saj janë publikuar nëpër media thuhet se unë i kam tejkaluar kompetencat e mija të këshilltarit të ministrit për shkak se kam marrë pjesë në mbledhje të komunitet drejtues ministror së bashku me ministrin Lekaj gjatë atyre takimeve sepse ju e dini që Komuniteti Drejtues Ministror ka qenë kompetent për udhëheqje e gjithë procesit prej kontraktimit deri tek mbarëvajtjen e mbikëqyrjen e autoudhës “Arbën Xhaferi” pra Prishtinë- Shkup”, ka thënë Berisha.

    Në një intervistë të gjatë që ai ka dhënë për InDoks, Eset Berisha thotë që në një far forme, Qeveria e Ramush Haradinajt e trashëgoi këtë problem dhe u deshtë të merrej me të.

    “Janë një mori shkresash të cilat ata ja kanë drejtuar prej vitit 2015 e tutje, ku ata kanë kërkuar që të ju ipet një përgjigje lidhur me këto mungesa të fondeve dhe të dakordohen për zgjatjen e kontratës për shkak se është parë që me këto projeksione buxhetore nuk mund të përfundohet projekti me kohë sipas kontratës bazë që ishte 42 muaj rrjedhimisht kompania ndërtuese ka kërkuar zgjatjen e afatit fillimisht qeveria e ka kërkuar vet prej viti 2015- ka kërkuar zgjatjen e afatit të kontratës dhe janë dakorduar me kompaninë amerikane të bëhet pa kosto zgjatja”, është shprehur ai.

    Ai përmendi edhe ndryshimin e pushteteve, rrjedhimisht zvarritjen e nënshkrimit të kontratës me “Bechtel-Enka”.

    “Nuk është nënshkruar kontrata as në vitin 2015 as në vitin 2016, në vitin 2015 janë dakorduar që të bëhet zgjatja e kontratës për 11 muaj e 13 ditë me një kosoto të cilën e ka hartuar kompania mbikëqyrëse ‘HIll International’ ajo e ka llogaritur konston e zgjatjes dikun 14.78 milionë për këtë periudhë kohore, prapë Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2017 nuk e ka nënshkruar edhe pse ishin pajtuar komunitetit drejtues ndërministror me 30 shtator të vitit 2016 ishte pajtuar që të nënshkruhet aneksi për zgjatjen e kësaj kontrate prapë nuk e kanë nënshkruar. Ministria e Infrastrukturës, komuniteti drejtues ndërministror e ka dërguar çështjen në Qeverinë e Kosovës, qeveria e ka kthyer çështjen prapa duke thënë se kjo çështje është brenda kompetenca të komunitet drejtues ndërministror dhe duhet të zgjidhet nga vet ai, pra me fjalë të tjera aneksi duhet të aprovohet ose jo nga komuniteti drejtues. Në vitin 2017 ju e dini se ka pasur edhe zgjedhje nacionale është ndërruar qeveria dhe kjo çështje ka mbetur pezull, nuk është nënshkruar kontrata me atë kosto të dakorduar me kompaninë amerikane”.

    “Çka ka ndodh pastaj, ato të vitit 2017 ka ardhë Qeveria Haradinaj në pushtet, ministri Lekaj e ka marrë detyrën diku në fillim të shtatorit dhe me 27 shtator nëse s gabohem është nënshkruar ky aneks për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve por pa kosto sepse kostoja është lënë të caktohet për më vonë kështu ka shkuar në aneks. Tani kanë rrjedh gjërat tjera, ka ardhë kërkesa e Bechktelit për 63 milionë në fund për 53 milionë e kështu me radhë por komunitetit drejtues ndërministror ka pasur qasje. Anëtarët e komunitetit drejtues ndërministror i kanë dëgjuar edhe vet përfaqësuesit e kompanisë Bechtel-Enka ku ata i kanë ftuar në takim ku ata ju kanë shpjeguar arsyeshmërinë për pjesën e tyre”.

    I pyetur për pretendimet e Prokurorisë se ai i ka bërë presion Shefit të Zyrës Ligjore në Ministrinë e Infrastrukturës për të bërë një opinion, dokument që do ta shtynte Qeverinë tutje të miratonte dhënien e 53 milionë eurove për ‘Bechtel-Enka’, Berisha thotë që ai në fakt e ndihmoi atë zyrtar dhe për më shumë, afati prej 24 orës për ta bërë atë dokument erdhi nga Ramush Haradinaj si Kryeministër. Ai vetëm e kishte përcjellë këtë mesazh të Ish-Kryeministrit Haradinajt.

    “Kjo ka qenë kërkesa, që të merret një opinion ligjor për arsye se ka munguar në shkresat e lëndës dhe unë kam kërkuar nga z.Avdi Kamerrolli vetëm të bëjë opinionin ligjor sipas kërkesave të kryeministrit. E di që afati ka qenë i shkurtu për kështu ka qenë kërkesa unë nuk kam mundur t’i jap afat më shumë”, ka sqaruar ai.

    Ai ka treguar se në cfarë cilësie është marrë në pyetje fillimisht.

    “Fillimisht unë kam qenë i intervistuar si dëshmitar, pyetjet kanë qenë të drejtuar për këtë çështje por po del se informatat të cilat i kanë pasur policia unë kam qenë i dyshuar për shkak se denoncim është bërë drejtori i departamentit ligjor lidhur me një opinion të cilin na ka hartuar diku mes 31 dhe 1 qershor të vitit 2018, i cili i ka ndihmuar Qeverisë së Kosovës për të marrë vendimin dhe ky zyrtar ka denoncuar se e ka bërë atë opinion nën ndikim apo imponim.  Drejtori i departamenti ligjor i cili ka qenë në vitin 2018-të si ushtrues detyre, Avdi Kamerrolli”, ka thënë ai.

    Berisha hedh dyshimet ndaj drejtori të Departamentit ligjor në ministri, Avdi Kamerrolli duke thënë deklarimet e tij janë në kundërshtim me të prokurorisë.

    “Jo, Avdia është si dëshmitar edhe pse ai e ka hartuar opinionin ligjor me të cilin qeveria ka marrë vendim dhe është edhe një paradoks për shkak se prokuroria pretendon se kontrata e nënshkruar e shtatorit 2017 nga z.Lekaj me të cilen është bërë zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve pa e definuar kostoja ka qenë e jashtëligjshme ky është pretendimi i prokurorisë ndërsa ky zyrtar në opinionin e tij ka thënë që kjo zgjatje është bërë në përputhje me ligjin në fuqi dmth ky opinion ligjor e ka vlerësuar si të ligjshme atë kontratë të cilën prokuroria po e vlerëson si të jashtëligjshme e njëkohësisht mungon aktakuza ndaj hartuesit të opinionit ligjor”, ka deklaruar Berisha.

    Vetëvendosje është partia që në opozitë e kishte ngritur zërin shumë për aferën 53 milionë euro, por jo vetëm ajo. Tash kjo parti është në pushtet. Liburn Aliu që kishte folur me detaje për këtë rast, tash është Ministër i Infrastrukturës.

    Ish-këshilltari i Pal Lekajt, Eset Berisha thotë se aktakuza ndaj tij ka ngjyrim politik.

    “Rrjedhimisht po, koha ka treguar se tendencat politike të kësaj qeveria ndaj meje kanë ardhë në shprehje çdo ditë e më shumë, që nga shkarkimi im dmth në maj të vitit 2020-të nga pozita e drejtorit të përgjithshëm  të organit rregullator të aviacionit të Kosovës e deri më tutje. Juve ju kujtohet edhe shikuesve të juaj se menjëherë pas shkarkimit kryeministri vet ka deklaruar ka thënë se këta të korruptuarit duke aluduar në mua, kur ju prekin interesat e tyre korruptive bërtasin “Amerika Amerika”, tha ai.

    “Tjetër koha ka treguar tash së fundi edhe vet zëdhënësi i Qeverisë ditën kur është ngrit aktakuza ndaj meje ka thënë se vendimi për shkarkimin e tij ka qenë i merituar dhe i ligjshëm për shkak se shihni çfarë personi ka qenë. Dmth këta e kanë ditë që unë jam duke u hetuar nga policia, prokuroria dhe duke më paragjykuar pra e kanë bërë gjykimin publik ndaj meje, duke më paragjykuar fajësinë time si të korruptuar më kanë shkarkuar nga pozita e përgjithshme e drejtorit të autoritet të Aviacionit Civil prej nga kanë filluar edhe hetimet tjera. Defentivisht kjo është aktakuzë politike për shkak se vet hetimet nuk kanë shkuar në drejtimin të cilin e drejtojnë vet shkresat e lëndës vet provat e prokurorisë të cilat i ka bashkëngjit në shkresa të lëndës në drejtim tjetër”, u shpreh Eset Berisha.

    Në anën tjetër zëvendësministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Albin Kurtit, Hyesn Durmishi për InDoks ka dhënë një version se si e sheh Qeveria aktuale këtë zhvillim me aktakuzën për 53 milionëshin.

    Hysen Durmishi – Zëvendësministër i Infrastrukturës

    “Vendimi për neve ka qenë i pritur sepse siç dihet këtu ka ndodhur një keqpërdorim shumë i madh i buxhetit të shtetit. Me kontratën e autostradës “Arbën Xhaferi” ka qenë një kompani ndërkombëtare (International) e cila ka nxjerr konkluzione se për shkak të vonesave është dashur të paguhet një vlerë prej 14.6 milionë euro. Ndërkohë që ministri i atëhershëm Pal Lekaj në Qeverinë Haradinaj ka bërë marrëveshje me Bechtel-in që të ia paguajë një vlerë prej 53 milionë euro dhe kjo mendojë që ka qenë shkelje e rëndë, e cila shpresojë që do të dëshmohet në procesin gjyqësor. Tash është ngritë aktakuzë dhe janë organet e drejtësisë ato të cilat duhet ta trajtojnë dhe nëse konstatohet një gjë e tillë që ne besojmë se do të konstatohet atëherë duhet ta marrin vendimin meritor ata që e kanë bërë”, ka deklaruar Durmishi.

    Pala mbrojtëse e Pal Lekajt pretendon se klienti i tij me rastin e nënshkrimit të kontratën me “Bechtel-Enka”, e shpëtoi buxhetin e Kosovës.

    “Është një praktik e rëndësishme në Republikën e Kosovës e cila duhet të ndryshojë apo më mirë të themi duhet të krijohet një standard i cili duhet të ndjeket më pas nga qeveritë apo kabinetet qeveritare pozita e një ministri apo ish-ministri është pozitë vendimmarrëse në të cilën kërkohet që të merret në shqyrtim çështje të ndryshme dhe të vendoset për çështje të rëndësishme ne kemi rastin e Z-mobile i cili për shkak të mungesës së vendimmarrjes tani është në arbitrazhe dhe Republika e Kosovës, buxheti dëmtohet, pritet të dëmtohet. Klienti im, ish-ministri vlerëson dhe ekipi i tij vlerëson se pikërisht me marrjen e vendimin nga ana e tij është kursyer buxheti i Republikës së Kosovës sepse është parandalu Arbitrazhi do të thotë detyrimet kontraktuale janë ato të cilat duhet të vlerësohen në mënyrë objektive dhe jo të iket nga përgjegjësia e vendimmarrjes mirëpo sa i përket procedurave në bazë të diskutimeve me klientin tim ato janë respektuar me përpikëri me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Musa Damati.

    Por ndryshe po mendon, Hysen Durmishi, Zëvendësministër i Infrastrukturës. Përmend një tjetër kontratë që sipas tij Lekaj e bëri në mënyrë të paligjshme.

    “Kjo nuk është temë për Arbitrazh sepse i është bërë pagesa dhe nuk është pagesa e vetme që është bërë në kohën e qeverisjes Haradinaj dhe të ministrit Pal Lekaj, përveç kësaj pagese prej 53 milionë euro është bërë edhe një pagesë tjetër prej 44 milionë eurove në emër të një aneks-kontrate për punë shtesë. Ndërkohë që dihet që kontrata me Bechtel-en për arbitrazhin është kontratë e tipit me çelësa në dorë dhe në kontrata me çelësa në dorë nuk duhet të bëhen aneks kontrata për punë shtesë, pra nuk është vetëm ky 53 milionë, janë afër 100 milionë që i janë pagu Bechtel-it, ne mendojmë në mënyrë të pa ligjshme dhe në të tilla raste duhet të merret drejtësia”, deklaroi ai.

    Ndërkohë, Leotrim Gashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) ka bërë thirrje që politika të qëndroj larg proceseve gjyqësore.

    Leotrim Gashi – IKD

    “Në rastin konkret është mirë që politika të mos bëjë deklarata që mund të synohet të ndikohet edhe tek ajo që kjo aktakuzë është e provuar ose jo për arsye se a është provuar ose jo nuk duhet kjo të theksohet nga akterët politikë por këtë duhet ta bëjnë institucionet e drejtësisë dhe asnjë deklaratë nuk e ndihmon vërtetësisë se aktakuzën ndaj tyre ish-zyrtarëve në këtë rast është e provuar ose jo për shkak se kjo do të bëhet pas një gjykimi në sistemimin e drejtësisë në këtë rast nga gjykata dhe nëse gjykata konstaton se nuk ka prova atëherë aktakuza do të bije ne e kemi parë raste kur pavarësisht që opinion publik ka theksuar se ka prova të mjaftueshme në gjykatë është provuar se nuk ka prova për ta dënuar një person. Për këtë arsye ne mund të presim gjithçka si në aktgjykim dënues si në aktgjykim lirues për këtë arsye politika të diskutojë për çështje të drejtësisë”, ka thënë Gashi për InDoks.

    Afrim Salihu, avokat i Eset Berishës thotë jep disa arsye pse klienti i tij për këtë rast do të duhej të ftohej në cilësinë e dëshmitarit e jo të dyshuarit.

    Afrim Salihu – avokati i Eset Berishës

    “Prova të papranueshme dhe nuk ishte dashtë Eset Berisha të jetë i akuzuar, ai ka mujt me u ftu në cilësinë e dëshmitarit në qoftëse eventualisht dikush prej nëpunëseve civil nuk dua të përmend emra të cilët tani nuk janë në aktakuzë pretendojnë se Eseti ju ka bërë presion. Në qoftë se Eseti i ka bërë presion atëherë mund të ftohet në bazë të deklaratës që e ka dhënë mund të ftohet si dëshmitar, të ekzaminohet provat materiale por jo të akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku Eset Berisha në provat material të cilat unë i kam pranuar nga prokuroria me CD askund nuk vërehet se veprimet inkriminuese të Eset Berishës kanë nënshkruar ndonjë dokument, që e dëmtojnë buxhetin ose ndonjë mënyrë tjetër. Të gjitha veprimet e Esetit kanë qenë këshilluese”, është shprehur ai.

    53 milionë euro që iu bartën, sipas Prokurorisë, në mënyrë të kundërligjshme kompanisë amerikano-turke “Bechtel-Enka” për Autostradën ‘Arbën Xhaferi”, nuk janë milionat e fundit që i mori në mënyrë të dyshimt kjo kompani. Dosja e Prokurorisë që e ka InDoks zbulon edhe një aferë tjetër, po ashtu milionëshe, që Prokuroria deri tash nuk ka dhënë përgjigje se a ka nisur hetime të tjera.

    Këtë aferë e ka zbuluar në deklaratën e tij  Ramë Qupeva, Drejtor i departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë të Infrastrukturës në atë kohë.

    Prokuroria në aktakuzë ka shkruar se mbi 44 milionë euro të tjera iu dhanë konzorcuimit amerikano-turk si punë shtesë, derisa Qupeva u ka thënë në intervistim se ato u dhanë sipas Ligjit.

    Qupeva ka shpjeguar se kjo shumë në masë të madhe është shfrytëzuar për dislokim të instalimeve gjatë trasesë se autostradës teksa ka shtuar që atë e ka autorizua ish-ministri, Pal Lekaj që ta nënshkruaj një formë të marrëveshjes për këtë çështje.

    “Sipas dëshmitarit kerkesa për pagesë prej 44 milion Euro, i është dorëzuar për miratim Kryesuesit të KDNM-së z. Pal Lekaj, nga ana e Njësisë Implementuaese, pra konkretisht nga ana ime dhe me nënshkrimin e secilit anëtar të njësisë. Për këtë çështje nuk ka pasur takim të KDNM-së, por ekziston vendimi i kryesuesit të KDNM-së z. Pal Lekaj i cili e ka autorizuar dëshmitarin që të nënshkruaj formën e marrëveshjes”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që e ka InDoks.

    Në deklaratën e tij Qupeva thekson se paga prej 44.1 milionë euro është dhënë shtesë e jo e njëjta më atë të 53 milionëshit.

    “Ndërsa për sa i përket pagesës prej 44 milion Euro dëshmitari ka shtuar se e njëjta është bërë në emër të punëve shtesë dhe nuk lidhet me pagesën prej 53.1 milion Euro e cila pagesë është bërë në emër të zgjatjes së afatit të kontratës”, thuhet në Dosje.   

    Pagesa prej 44 milionë eurosh që i është dhënë konserciumin “Bechtel Enka” në emër të  punëve shtesë për ndërtimin e auto-udhës “Arbën Xhaferi” dyshohet se është e bazuar në kontratë të jashtëligjshme. Madje zbulon Dosja, qe kjo kontratë ka vetëm 2 faqe. Aty ndodhen tri nënshkrime: i Pal Lekajt si ministër,  i Betim Reçicës si sekretar i përgjithshëm dhe Ramë Qupeva, zyrtar i njësisë implementuese të projektit.

    Derisa kontrata është e bazuar në ligjin e prokurimit Publik asnjëri prej zyrtarëve që e kanë nënshkruar këtë kosto shtesë prej 44 milionë eurove nuk janë zyrtarë përgjegjës të prokurimit. Ligji i Prokurimit në nenin 26 përcakton saktë që nëse kontrata nuk nënshkruhet nga zyrtari i prokurimit është e pazbatueshme dhe e paligjshme.

    Ramë Qupeva, i përmendur në dosje vetëm si dëshmitar, ka treguar para hetuesve që kërkesa ka qenë me raport të detajuar për secilin aktivitet dhe sasitë të cilat janë shfrytëzuar gjatë atyre aktiviteteve, e me pas kërkesa së bashku me njoftim e Pal Lekaj i ishte dorëzuar disa herë udhëheqëses së divizionit të prokurimit, por e njëjta nuk kishte iniciuar asnjë aktivitet lidhur me këtë çështje me arsyetimin se kjo çështje i takon njësisë së implementimit e jo prokurimit. Ai thotë se ka qenë vendim i Pal Lekajt që të përmbyllej procesin lidhur me këtë çështje- të vazhdohej me 44 milionë euro për punë shtesë për ‘Bechtel-Enka”.

    Lutfi Zharku, një tjetër ish-ministër i Infrastrukturës që në fillim u hetua por u mbyllën hetimet për të, në një debat ishte përplasur me Pal Lekajn, pasardhësin e tij. Zharku Nuk është pajtuar që të flas për InDoks.

    Derisa ai nuk pranon që të flas, një pjesë e të akuzuarve në këtë aktakuzë, sipas dokumenteve tentojnë që t’ia hedhin fajin qeverive të kaluara se ua lanë telashin me ‘Bechtel-Enka’ në dorë.

    Në intervistat për InDoks, ata madje as nuk kursehen që aktakuzën ta klasifikojnë si politike, pasi që partia që aktualisht është në pushtet, Vetëvendosje, ishte ajo që bëri shumë zhurmë për këtë aferë sa ishte në opozitë.

    Një aktakuzë voluminoze tashmë është deponuar në Prokurori për mënyrën se si iu dhanë 53 milionë nga buxheti i shtetit kompanisë ‘Bechetl-Enka”. Në po të njëjtën dosje, janë ngritur edhe dyshime se si iu dhanë për punë shtese edhe 44 milionë euro të tjera.

    Deri tash në këtë rast ka vetëm 4 të akuzuar. A do të sjell procesi i ardhshëm gjyqësor edhe akterë të tjerë në skenë? A do të mundet Prokuroria ti dëshmoj krejt akuzat? A do të dalin edhe procese e ndoshta edhe gjykime të tjera nga hallakatja për misterin e milionave që u dhanë për autostradën ‘Arbën Xhaferi’?.

    InDoks | Misteri milionësh i PAN-it – Dokumentari i plotë:

    Lexo edhe:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark