×
  • Sport
  • Sport

    ‘Huligani’ që zaptoi Federatën e Futbollit

    Insajderi
    29 March 2022 - 12:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Kosovë ka kohë që huliganizmi mes tifozerisë është i rrallë. Ata rrallë rrihen mes vete. Është dikush tjetër që emri i lidhet me fjalën rrahje. Hiç më pak se sa i pari i Federatës së Futbollit Kosovar, Agim Ademi.

    Visar Duriqi/Donjeta Islami

    Tash e disa vite ai është Kryetar i Federatës së Futbollit. Është rrugës së pashmangshme për ta marrë edhe një mandat. Me krejt akuzat e skandalet që i janë publikuar. Gjatë kohës kur InDoks po e realizonte këtë episod, FFK-ja që ai e drejton eliminoi edhe konkurrentin e tij të fundit në garë, Gramoz Vokrrin.

    Por, kush është Agim Ademi? Përfshirja e tij në procese gjyqësore, rrahje, skandale e prapaskena ndeshjesh. Raporti i tij me biznesin e politikën.

    InDoks sjelli rrëfimin ekskluziv të njërit nga viktimat e grupit ku Agim Ademi to të rigjykohet për të. Flasin edhe njerëzit që u thirren për të dëshmuar në Prokurori kundër tij. Flasin edhe kandidatët që u eliminuan. Rrëfejnë edhe ata që raportuan për karrierën e tij.

    Është një histori për një njeri që arriti ta zaptoi karrigen e njeriut kryesor në futbollin e Kosovës, federata që ka miliona euro fonde nën menaxhim.

    Për InDoks ka dhënë një intervistë ekskluzive Dritëro Kadolli. Është intervista e tij e parë për të cilën ai flet në raport me Agim Admin dhe personat e tjerë të grupit.

    Rasti për të cilin ka folur biznesmeni Kadolli është i vitit 2012, por për të cilin një herë është dënuar Agim Ademi dhe Muharrem Rama. Pati shumë zhvillime më tutje me ankesa e shtyrje seancash, madje edhe me dërgim të rastit në Gjykatën Supreme, derisa pjesë të akuzës edhe u vjetërsuan si pasojë e zvarritjeve në gjyqësor.

    Dritëro Kadolli

    “Kjo ka ndodh në vitin 2012-të. Unë e kam marrë tokën, e kam nënshkru marrëveshjen me pronarin dhe kur kemi shku me marrë lejen e ndërtimin na u ka thënë që është zonë e gjelbër. Masi kemi pyet nëpër qytet kush fatkeqësisht munden me i kry këto punë , kanë thënë Sami Hamiti, Sami Hamiti ka qenë atëherë se di saktë me pozitë, nënkryetari i Komunës diçka qeshtu, ka qenë kryetar i asamblesë komunale të Prishtinës edhe fjalët kanë qenë që unë kur jam taku me Agim Ademin, marrëveshja ka qenë që 3 shpija dhe një BMË X5 me ia dhënë atyre për me rregullu këtë telashin për zonën e gjelbër. Shiko Agimit, Samisë dhe Muharremit të treve. Ka një shtëpi. Edhe BMË ka qenë e destinuar për Sami Hamitin si ryshfet”, ka thënë biznesmeni, Dritëro Kadolli.  

    Rasti për të cilin një herë u dënua Agim Ademi e Muharrem Rama, por Sami Hamiti nuk ishte i dënuar në këtë rast, lidhej me një veturë në atë kohë në modë, BMW X5. Ia kërkonin me ngulm e me kërcënime. Kadolli ka shpjeguar se si erdhi puna deri aty.

    “BMW e kemi dhënë edhe se kemi dhënë, e kanë marrë BMW, unë e kam ble prej garazhdës që e ka zgjedh Muharrem Rama së bashku me të e kemi zgjedh, ka qenë me tabela të Gjermanisë, ja kanë qu Sami Hamitit me testu ka thënë në rregull është. Puna jem ka qenë me përkthy dhe me qit me tabela të Kosovës por ka ndodh që mbledhja e asamblesë është mbajtë me 25 korrik dhe nuk ka qenë rend dite parcela të cilën ne kemi kërku me shndërru nga zonë e gjelbër në ndërtimore. Edhe unë jam tërheq prej.. unë i kam thënë kurdo që i bini letrat hajdeni merreni veturën. Edhe ata skanë mujt me I pru letrat pastaj kanë fillu kërcënimet, shantazhet edhe është problem me ti shpejgu në telefon shumë, por janë prej më të ulëtave deri tek ballafaqimi fizik që e kemi pasur me Muhamerr Ramën për hir të qasaj veture që e ka kërku prej Sami Hamtin se arsyetimi ka qenë që Sami Hamiti ka me shku në deti i vyen vetura”, ka rrëfyer ai.

    Por, si lidhet në këtë histori kreu i Federatës së Futbollit, Agim Ademi? Pse ky biznesmen e denoncoi në EULEX edhe atë?

    “Agimi më ka kërcënu përmes mesazheve edhe më fëmijë bile më ka kërcënu, më ka qu mesazh në zyre që është vërtetu prej EULEX-it që thuaj atij të trashit le ta ruan Gurin, le ti paguan paret se Guri ka me pas problem (djali im) i vogël që atëherë ka qenë 5-6 vjet se kemi iu hakmarrë qeshtu diçka qesi kërcënime.  Agimi ka qenë sekseri kryesor i Sami Hamitit për gjitha punët në Prishtinë.  Për gjitha punët që i ka kry në atëkohë Sami Hamiti që ka mujt mi kry, i ka kry  nëpërmes Agim Ademit, qeshtu unë kam mbrri me shku te Agim Ademi tu e ditë në bazë të fjalëve edhe të njerëzve “ndaq me kry punë shko tek Ademi”. Qekjo u kanë pse unë kam shku tek Agim Ademi dhe pse Agim Ademi u përzi në këtë farë pune”, vijon sqarimin e tij Kadolli.

    Rastin e kishte denoncuar në EULEX. Kishin nisur hetimet. Përgjimet. Gjithçka po shkonte mirë, derisa sipas Kadollit rasti kaloi tek një përkthyes shqiptar në EULEX. Nga aty rrodhën informatat jashtë Prokurorisë.

    “Jo sepse unë, fati jem u kanë që unë jam qytetar anglez dhe flas mirë Anglisht dhe nuk ka pasur nevojë për përkthim dhe procesi ka shku relativisht mirë me EULEX deri në momentin që transkripta ka mbërri tek përkthyesi, momentin që ka mbrri tek përkthyesi këta e kanë marrë vesh se I kam transkriptat e incizimeve. Unë e kam dorëzu incizimin në ora 3 në 3:30 Sami Hamiti e thirrë Agim Ademin thotë le punën e kerri se llug është puna”, deklaroi ai për InDoks.

    Edhe pas që nisi gjykimi, që ka zgjatur me shumë vite e me shumë vërejtje, Kadolli thotë se nuk janë ndalur ngacmimet nga Agim Ademi. Përfshirë këtu edhe ato ndaj familjes së tij të ngushtë.

    “Agim Ademi qysh e njoh unë goxha i fshehët me veprime e tija, ai direkt jo por nëpërmes njerëzve të tjerë. Më kanë thënë shko ndërroje deklaratën se janë në burg, ti se dinë me kë ke punë, kemi pasur telashe që janë të papërshkrueshme edhe dukën film me ti kallxu krejt, sidomos prej njerëzve të tij që i ka nëpër Prishtinë. P.sh e kanë përcjell gruan me kerr, i kanë bërë shantazhe mua qashtu, fëmijët EULEX nja dy muaj është dashtë me i përcjell në shkollë qeshtu dhe ka pasur shantazhe prej më të ndryshme edhe më kanë dëmtu personalitetin dhe në biznes shumë me lidhjet e tyre që i kanë pasur”, ka thënë ai.

    Në rrëfimin e tij ai ka përmendur se ka pasur vërejtje serioze tek gjyqtarët, por ka dyshime serioze që në favor të grupit ku bënte pjesë edhe Agim Ademi ishte vëne edhe Policia e Kosovës. Madje edhe në tendencë për ti zhdukur dosjet që ai i mbante në shtëpi.

    “Kanë ardhë Policia e Kosovës mi kanë lyp dosjet të qesaj toke në zyre, I kam thënë I kam në shtëpi, kanë thënë am undesh me na I pru I kam thënë gruas në dhomë të fjetjes në këtë vend i kam bimi se po mi lypin kopje policisë, ata e kanë marrë kopjen edhe mas dy dite mu ka thy banesa bash në dhomë të fjetjes edhe skanë vjedhur kurgjo, vec dosjet I kanë lyp. Unë për fat I pata lënë në kerr si kam lënë brenda dhe mu ka thy banesa bash në dhomë të fjetjes, bash veni ku ia kam shpejgu shoqes me mi pru dosjet prej banesës”, u shpreh ai.

    Pas kësaj ai shprehet se në sy u ka thënë policisë se po dyshonte në ata.

    Për shumë kohë Eroll Sallihu ka qenë Sekretar në Federatën e Futbollit, Tash është i suspenduar. Mban veç pozitë të zyrtarit ligjor aty. Rrëfimi i tij për Agim Ademin dhe mënyrën se si operon ai nuk është larg atij të biznesmenit Kadolli.

    Thotë se për momentin është më mirë të mos jesh pjesë e asaj federate, që ai e quan Toxic Environment’, ‘Toxic Working Environment’ është helmuese atmosfera në FFK, aty ka vetëm spiunazh, fotografime, ka përgjime sikur të ishte në filma serial që po i shikojmë tash”.

    Gjatë kësaj interviste ai tregoi sa herë është ftuar nga Prokuroria dhe për çfarë arsye.

    Eroll Salihu – Ish-sekretar i FFK-së

    “Herë e parë jam ftu për një letër që e kam shkruar vet, pothuajse para 1 viti. Letra ka qenë konfidenciale sepse kur punon ti në institucion nuk mundesh ti me dal e me … krejt botën aty duhet me i tregu atyre të cilëve e kam përgjegjësinë me iu tregu, komunitetit ekzekutiv, e kam bë një shkresë me tri faqe, në të cilën i kam paraqit të gjitha shqetësimit e mija, shkeljet që mendoj unë që janë të arsyeshme në mënyrë që me pas transparencë me ia ndal hovin këtij presidenti, autokrat po e quaj edhe në atë kohë sepse raportet tona janë ftoftë prej momentin kur ka shpëtu nga gjykata, ai atëherë ka mëndu që mundet me bë çka do edhe kjo tash ju ka hakmarrë edhe institucionit edhe atij”.

    “Kjo letër pastaj është dal tek pas 4 muajve, megjithatë prokuroria më ka ftu ia kam shpjeguar të gjitha, kjo është për të mirën e institucionit. Duhet komuniteti me ndërmarrë, komuniteti është organi më i lartë e ka bë këtë, këtë, këtë ato janë çështje të cilat nuk guxojnë me u përsërit në të kaluarën sepse bëhet një autoritarizëm”.

    “E vërteta e dytë është po ashtu nga një komision për parandalimin e dhunës që ka dal nga ligji, ju e dini me z.Besim Kelmendin që është prokuror edhe ata më kanë ftu për të njëjtin rast, ju kom përgjigj se kjo çështje ka qenë në prokurori ndërsa për rastin e tretë të them të drejtën nuk e di as vet. Më kanë pyet për çështje  të shumta, për bileta, për punësime, për këto informata të zakonshme të cilat  kam dhënë me sinqeritetin më të madh, Pra e kam cek që unë për 50 e kusur vjet nuk kam qenë kurrë në prokurori dhe tash për shkak të Agim Ademit. Po e them edhe njëherë duhet me kuptu Agim Ademi nuk ka faj askush, as komuniteti ekzekutiv, as sekretari gjeneral as komuniteti i futbollit që ai ka probleme me ligjin dhe me vetën, shumica e problemeve po ndërlidhen me presidentin, Agim Ademi”.

    Përmbajtjen e kësaj letre e kishte publikuar gazeta e sportit, InSporti. Fjalë kryqe të këtij denoncimi ishin rrahje, punësime të dyshimta, premtime në favor të klubeve që i garantojnë votën. Një profil i Ademit që më shumë se sa kryetar i FFK-së duket një tifoz huligan.

    InDoks ka qenë në kontakt me Agim Ademin dhe ai në parim është pajtuar që të flas për këtë emision pas konfirmimit të kandidaturës së tij. Një ditë pasi që është konfirmuar kjo kandidaturë dhe është refuzuar kandidatura e Gramz Vokrrit, të birit të ish-Kryetarit të FFK-së dhe legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, ai ka refuzuar që të flas. As avokati i tij, që është pjesë e FFK-së po ashtu, nuk ka pranuar që të flas para kamerës.

    Për InDoks ka folur edhe Arianit Ahmeti, ish-zëvendës sekretari i FFK-së. Ishte edhe ai në fillim në garë për kreun e FFK-së, por u eliminua. Si e sheh ai Federatën e Futbollit aktualisht?

    Arianit Ahmeti – Ish-zëvendëssekretar i FFK-së

    “Problemi është rreth një individi të caktuar i cili me çdo kusht do, nuk zgjedh formë e mjet juridik vetëm që të rri në atë karrige. Po shkelja e parë ka ndodh në vitin 2019 dhjetor mos kandidimin e tij dhe mos hapjen e garës për kryetar të FFK-së, mandate i tij ka qenë  i vazhdueshëm për të cilën është fare e thjeshtë dmth një Kuvend të jashtëzakonshëm nuk mund të mbërrihet mandati i plotë apo 4 vjeçar”.

    “Ai në vitin 2018 në qershor pas vdekjes se Fadil Vokrri është dashtë të këtë mandat të vazhdueshëm ajo është ndesh edhe me vendimin e ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ciklit olimpik të Komuniteti Olimpik të  cilit ne i nënshtrohemi, ligjit të sportit po ashtu jemi ndër komunitetin Olimpik, jemi të anëtarësum. Kjo ka qenë baza, në momentin kur ai ka shkel statutin mandej kanë filluar shkeljet tjera të tij, kanë qenë personale me disa procedura gjyqësore derisa që kulmon në shkurt ai dënohet nga Gjykata e Apelit me një aktgjykim të plotfuqishëm dhe merreni me mend nga shkurti deri në shtator ky person rrinë dhe nuk e di në çfarë forme ka mujt ta ushtrojë veprimtarinë e tij me gjykatë e me aktgjykim të plotfuqishëm”, tha Ahmeti.

    Prokuroria tashmë ka konfirmuar se një hetim për mundësinë e kurdisjes së një ndeshje të përfaqësueses kosovare e ku personazh është përsëri Agim Ademi, ka nisur. Por, a është ai i përfshirë edhe në këtë veprimtari?

    Derisa ai nuk pranon që të flas më shumë për punën e kurdisjes së ndeshjeve, Arianit Ahmeti për herë të parë në InDoks ka folur që është intervistuar nga hetuesia si dëshmitar për raste ku Agim Ademi mund të jetë target i hetimeve.

    “Realisht për herë të parë po e them nga viti 2020 janar më duke ka filluar intervistomi në 6-7 ndoshta 8 raste në rolin e dëshmitari dhe disa herë më kanë ftuar edhe nga hetuesia edhe nga Krimet Ekonomike por edhe nga Prokuroria lidhur me këto raste për ti dhënë disa shpjegime.  Janë raste të cilat nga natyra… rreth FFK-së të gjitha.  Ka prej të gjithave por më falni sepse është nën hetime lënda dhe nuk mund të them”, ka thënë për InDoks, Arianit Ahmeti, Ish-zëvendës sekretari i FFK-së.

    InDoks ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që nëse Agim Ademi është nën hetime edhe për ndonjë rast, pos atij që u arrestua javë më parë dhe sa raste eventuale janë të hapura ndaj tij, por ky institucion nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

    Po për sjellje prej të dhunshmit javë më parë, siç raportoi Insajderi, u arrestua Agim Ademi, Ai dyshohet se e sulmoi një punonjës të FFK-së, Artan Govorin. Faji i tij? Ishte takuar me një ish-punonjës të FFK-së, dhe Agim Ademi po i kërkonte llogari, sipas Govorit.

    Ky i fundit është kontaktuar nga InDoks, por për shkak që procedura po vazhdon, ai ka refuzuar që të japë intervistë, derisa Ademi është liruar.

    InSporti kishte raportuar edhe për një rast tjetër sulmi nga Agim Ademi. Kjo ndodhi në fund të shtatorit 2019. Ademi bashkë me Muharrem Ramën, kishin sulmuar në parkun e Gërmisë doktorin sportiv Mehmet Maxhunin- 68 vjeçar në atë kohë.

    Nga ky sulm infrakt kishte pësuar Hysen Peci, shoku i doktor Maxhunit i cili kishte qëndruar për 3 javë në QKUK. Edhe doktor Maxhuni kishte pranuar ndihmën nga mjekët dhe ishte dërguar në QKUK për tretman mjekësor, kurse Policia kishte arrestuar menjëherë Muharrrem Ramën dhe e kishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Agim Ademi edhe në një rast tjetër ishte përfshirë në një rrahje, por sipas asaj që deklaroi ai, në atë rast ishte viktimë.  Tha se ishte sulmuar nga persona të maskuar po në Gërmi.

    Arbër Avdyli është gazetar sporti dhe komentator i ndeshjeve. Ai po e sheh me shqetësim atë se çka po ndodh në FFK. Ka folur për InDoks. Ka treguar se kush, sipas tij është për tu fajësuar, dhe që nuk është vetëm Agim Ademi.

    Arbër Avdyli – gazetar

    “Është dëmtuar bukur shumë imazhi i FFk-së dhe i futbollit në përgjithësi me këto ngjarjet e fundit, fillimisht zotëri Ademi këtë letër (UEFA – pezullimin) nuk e pranuar dhe ka thënë se nëse ka dikush diçka le të publikoj më pas u publikua kjo dhe më pas pati edhe një reagim, ky është një minus shumë i  madh që e kemi marrë te organet më të larta, tek UEFA dhe tek FIFA pasi kemi marr një minus shumë të madh kur dihen vështirësitë kemi pasur dhe ne kemi arritur të pranohemi fal një pune mjaft të madhe që kishte bërë i ndjeri Vokrri, por meqenëse që lënda e tij është në gjykim dhe UEFA  ka anuluar atë letër  por ajo letër u pa se ka ekzistuar ku është thënë se nuk ka ekzistuar madje unë fajin nuk ia lë vetëm Agim Ademit por edhe shumë zyrtarëve të tjerë aty brenda që deri sot sa kanë qenë në karriget e tyre nuk flisnin e sot kur u rrezikuan pozitat e tyre filluan të flasin dhe të kritikojnë. Sidomos kam shumë kritika për shumicën e komitetit ekzekutiv që fatkeqësisht janë vetëm si kukulla aty  dhe vetëm kanë heshtur”, tha Avdyli.

    Çështjen e suspendimit e pastaj anulimit të vendimit nga Federata Evropiane e Futbollit e ka sqaruar për InDoks ish-Sekretari i FFK-së. Ai madje ekskluzivisht për InDoks ka zbuluar prapaskena kur Agim Ademi gati dha dorëheqje.

    “Tash ky vendim për të cilin ju aludoni, është ardhë në Federatë të premten në ora 17:00, janë imellet zyrtare dhe e kanë qu me qëllim UEFA sepse edhe UEFA e ka luajt një lojë të dyfishtë, Në ora 17:00 dhe në fakt ne asistenti im më ka thënë ka ardhë një letër sepse unë jam edhe anëtar i komuniteti ligjor të UEFA-s nuk mundesh me fsheh më shumë. Atëherë Agimit i tregojnë dhe i thotë okej të hënën po e thirri komunitetin dhe të martën po jap dorëheqje, pra nuk duhet me ia ngjitë njeriut diçka që nuk e ka. Agimi ka pasur me dhënë dorëheqje të martën, mblidhet komuniteti meniherë të hënën dhe thotë nesër po jap dorëheqje, në të njëjtën ditë del vendimi i Gjykatës Supreme, me të cilin i kthehet në shkallë të parë, lajmërohet UEFA dhe UEFA e qon vendimin tjetër me të cilin pezullohet vendimi i mëparshëm. Pra, Agim Ademi ka qenë i dënuar të shtunën, dielën të hënën, juridikisht i bie kështu nuk u fsheh sepse e ka ditë gjithë opinioni që dënimi u ardhë. Agim Ademi nuk ka dashtë me qitë për arsye se e ka qitë vendimin tjetër që është pezullu vendimi. Kjo është e vërteta që shpesh qohet pluhur”, tha Salihu.

    Eroll Salihu ka folur edhe për vet Kuvendin e 6 prillit 2022 ku Agim Ademi do të mbetet kandidati i vetëm për Kreun e FFK-së. Për opinionin ligjor që dha Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit dhe për vet dyshimet: a është i ligjshëm krejt ky proces?

    “Mandati  i kryetarit është 4 vjeçar dhe është dashtë që në korrik kryhet. Nuk e kam kuptu kurrë deri vonë për çka kjo nguti e jashtëzakonshme sepse këto janë zgjedhjet vetëm për kryetar dhe jo anëtarë të komunitetit, prandaj mos te zgjati konsiderojë që ky Kuvend është i jashtëligjshëm këtë e konfirmoi për fat të mirë edhe Departamenti ligjor i Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport por edhe të gjithë njohësit e çështjeve juridike se nuk do shumë filozofi është neni 39 i cili në përpikëmëri cakton se cilat janë kushtet për thirrjen e zgjedhjeve për kryetarit jo për anëtarë të komuniteti”.

    “Është kryekëput një proces i jashtëligjshëm dhe Gramozi ka rënë viktimë e tij, unë edhe them se Gramozi edhe po ti kishte nënshkrimet nuk është dashur të paraqitet në Kuvend”, deklaroi ai.

    Gramoz Vokrri intervistë për InDoks e ka dhënë një ditë para se FFK-ja të merrte vendim për ta diskualifikuar nga gara kundër Agim Ademit. Ai pati shpalosur edhe planin e tij për ta reformuar këtë federatë, për të cilën Ademi në një intervistë në Televizionin Publik ka thënë që aktualisht ka 17 milionë euro buxhet.

    Në eliminimin e Vokkrrit nga gara kundër Agim Ademit, siç ka zbuluar Insajderi luajti rol edhe biznesmeni në arrati nga drejtësia, Abedin Salihu. Salihu aktualisht po ikën nga Drejtësia pasi që është njëri nga shumë të dyshuarit në rastin e madh penal, i njohur si “Brezovica” ku bëhet fjalë për ndërtime të egra, ilegale e shumë e shumë ryshfet.

    “Për imazhin e futbollit është një njollë e madhe përderisa këtu kemi të bëjmë me një situatë ku UEFA letra e parë aty shkruan disidivisht, ‘Decision to BAN’, pastaj u shfuqizu sepse duket lënda e kryetarit akutal është rikthy në rigjykim, po vetëm duhet me u potencu se në atë afat kohor mes gjykatës apelit dhe supremes ka kaluar një kohë, me të cilën ka qenë I dënuar. Letra e dytë e qartëson, thotë e vërtetë që nuk ka hy në fuqi por kjo është vetëm shkaku që lënda e tij ka qenë në rigjykim, këto çështja nuk kisha pasur dëshirë shumë me i komentu, sepse në fund të fundit janë probleme të kryetarit aktual”.

    Ky ish-Sekratar i FFK-së në këtë pikë ku ka ardhur raporti i Agim Ademit me ata që i eliminoi nga Federata, jep sugjerime që ai duhet të largohet, një gjë që nuk duket askund në horizont. Ai tregon se pse njerëzit i rrinë afër ende në FFK.

    “Po e flas tash shumë haptazi për arsye se veç janë harxhu të gjitha ato parametrat që do të mund ti kemi një raport ndryshe me të. Unë mendoj që nuk ka person i cili e ka mbrojtë aty ku është dashur si institucioni i kryetarit si unë. Raporti im me kryetarin Ademi ka qenë tërësisht i pastër kurrffarë interesi nuk kam pasur, përkundrazi mendoj që ai më ka borxh për shumë arsyeje që ai e dinë., por me të vërtetë mendoj që janë tejklau të gjitha normat etike, morale, shoqërore por edhe sportive dhe se z.Agim Ademi më është dashur që të largohet nga ky institucion dhe të ruaj atë punë që e ka bërë deri më tash, mirë ose keq atë e vlerësojnë të tjerët, prandaj nuk do të hyjë më tutje por mendoj që kjo figurë më nuk është unifikuese, të gjitha ata persona që po i sillen rreth është vetëm, me dy thonjëza po e them vetën raport interesi asnjë raport tjetër njerëzor nuk ka aty”, theksoi Salihu.

    Ndërkohë, ish-zëvendës sekretari, Arianit Ahmeti ka deklarur se edhe sa i përket ndarjes se mjeteve në FFK janë bërë shkelje drastike.

    “Mjetet të cilat janë të destinuara për klube të Super Ligës, për Akademi të Super Ligës, aty janë manipulu me shkolla të futbollit për shkak të votave, gjithmonë janë dhënë në periudha të caktume kur ka pasur kuvende sikur regjionale poashtu të Federatës dmth gjithmonë janë shfrtytëzu për këto punë gjithmonë rreth këtij personi dhe ligës së tij për mbrojtjen”.

    Agim Ademi po shkon drejt një kuvendi ku mund të rizgjidhet Kryetar i Federatës së Futbollit Kosovar edhe për një mandat. Federatës që thotë se aktualisht i ka 17 milion euro nën menaxhim. Gjatë procesit institucioni që ai e drejton ka eliminuar kundër-kandidatët. Edhe kundër-kandidatin e fundit, Gramozin, të birin e Fadil Vokrrit.

    Drejt kësaj gare po shkon duke iu kontestuar Kuvendi madje edhe nga Ministria e Sportit. Edhe nga ish-funksionar të FFK-së që u suspenduan nën drejtimin e Federatës multi-milionshe nga Ademi.

    Mbi supe i rëndon një proces Gjyqësor për të cilin u dënua një herë, por nga maji i këtij viti do të rigjykohet edhe një herë. Në biografi i figurojnë disa sulme fizike. Një i fundit edhe disa javë më parë për çka e kaloi një natë në burg.

    Në publik tash më është një dokument konfidencial ku ai denoncohet për keqpërdorime të shumta.

    Asnjë nga këto zhvillime nuk e pengojnë që i vetëm, pa kundër-kandidatë të shkoi drejt konfirmimit kryetar i Federatës edhe për një mandat. Deri tash pos tjerash i ka përdorur rrjetet sociale e hapësirën e dhënë në Televizionin Publik për ta shfaqur versionin e tij të krejt kësaj historie, ani pse së fundi ky institucion ka marrë vendim që të mos ftoi njerëz me aktakuzë. Prapë se prapë e ftojnë Agim Ademin.

    “Ka një ligj të Sportit me të cilin do t’i ndalohet personave që kanë precedente gjyqësore dhe atyre që kanë aktakuzë, tash ky (Agim Ademi) që 10 vite ka aktakuzë dhe vepra të cilat janë të dënueshme mbi 1 vjet nuk do të lejohen të drejtojnë Federatën dhe ky e dinë shumë mirë që nuk është më ky statu, është ligj, ligj, dhe nëse mundet edhe këtij ligji me iu shmangë atëherë nuk po kuptoje çka na nevojitet edhe shtetit”, ka theksuar Eroll Salihu, sekretari i suspenduar i Federatës.  

    /GazetaInsajderi

    Lexo edhe:

    Viktima e kryetarit të FFK-së: Agim Ademi kishte ndikim edhe te gjyqtarët

    “Agim Ademi e ka uzurpu federatën qysh nga viti 2019-të”

    Prapaskenat e rastit kur Agim Ademi gati dha dorëheqje, kush e shpëtoi atë?

    Futboll apo Politikë, kah po anon FFK-ja e kush e ka fajin, flet gazetari i njohur

    Sa herë u intervistua Arianit Ahmeti nga Prokuroria për të bëmat e Agim Ademit?

    Ish-sekretari i FFK-së: Duhet dikush me dal me ia ndalë hovin këtij presidenti autokrat

    Biznesmeni hedh dyshime të forta – Agim Ademi kishte lidhje edhe Polici, kështu mu thye banesa!

    Rrëfimi ekskluziv i viktimës së Agim Ademit – si iu kërcënua edhe djali 5 vjeçar

    “Ma kanë përcjell e shantazhu gruan, fëmijët nja 2 muaj është dashtë EULEX mi përcjell në shkollë” – Kadolli rrëfen sulmet që i bëri Agim Ademi

    “Le t’i paguan paret se ka me pas problem djali i tij 5 vjeçar”, rrëfimi ekskluziv i viktimës së Agim Ademit

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark