×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Haraçi i policëve kosovarë në kufirin Kosovë-Shqipëri, dosja ekskluzive e operacionit “Pika”

    Insajderi
    21 March 2022 - 11:33

    Të hënën e 14 marsit u arrestuan 50 zyrtarë të shtetit. Komandantë, togerë, policë e doganier. Shërbenin në dy pikat kufitare me Shqipërinë. Qafë Morinë e Qafë Prushi.

    Visar Duriqi/Donjeta Islami

    48 policët e 2 doganierët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Vepronin kryesisht duke marrë ryshfet përmes shallterit në kufi, ky kryesisht qytetarët i fusnin paratë e ryshfetit në dokumente. Polici pastaj i merrte ato, i fuste në ndonjë letër në tavolinë, por më shpesh nën këmbë në karrige, për ti futur pastaj nëpër xhepa pasi ngriteshin nga karrigeje.

    Prokuroria i përshkruan edhe si “inkasantë” për interesa të vetat.

    50 zyrtarët e shtetit tanimë ndodhen në paraburgim. Për rastin punuan dy gjyqtarë e dy prokurorë.

    Dosja që e ka InDoks zbulon se ryshfeti që këta policë kanë marrë nis prej 5 eurove e deri në 400 euro në raste të veçanta. Ose në disa raste, siç zbulojnë përgjimet, ishin diskutuar ryshfete deri në veturë golf 6 për ta kaluar pa kontroll një mall që vlente deri në 300 mijë euro vlerë.

    Në këtë episod u zbuluan detaje nga Dosja e madhe e Prokurorisë Speciale dhe Inspektoratit Policor të Kosovës që është deponuar në Gjykatë. Për InDoks foli edhe njeriu që e drejtoi krejt këtë operacion.

    Operacioni për tu vënë pranga 48 policëve e dy doganierëve u zhvillua nga ora 3 në mëngjes e vazhdoi gjatë gjithë ditës. Kur ishte marrë vesh që të gjithë janë çuar nëpër qeli, i erdhi koha një konferencë për ti treguar publikut se çka ndodhi.

    Për ‘pikën e zezë’ ndaj Policisë u deklarua edhe shefi i 48 policëve të arrestuar, Samedin Mehmeti.

    E keni parë që pjesë e operacionit ka qenë edhe Policia e Kosovës, pjesë e shkëmbimit të informacioneve ka qenë edhe Policia e Kosovës. Një organizatë që është në gjendje që të luftojë të keqën brenda vetvetes është organizatë e shëndoshë. Ajo pse disa individë janë korruptuar, ose pse disa individë në vitin 2018 apo mi përmend edhe 2016 apo 2013… ka pasur raste gjithmonë. Por këto janë veprimet që ndërmerren, kur dikush korruptohet, arrestohet dhe procedohet”, u shpreh Mehmeti.

    Ndërkohë rastin për t’i thënë dy fjalë në këtë konferencë e shfrytëzoi edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

    “Me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë në hetimin e kësaj çështje penale. Gjatë fazës së hetimeve, kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë, me qëllim që të sigurojmë prova të mjaftueshme për krijimin e dyshimit të arsyeshëm se është kryer një vepër penale. Fillimisht kemi pasur informacione se janë duke u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në pikat doganore. Dhe duke marrë parasysh që nuk kemi pasur të drejtë të zbatojmë masat e fshehta për personat konkret, por i kemi lëshuar masat e fshehta vetëm për veprat penale. Në moment të zbulimit të identiteteve të kryerësve të veprave penale kemi nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve kundër 68 personave”, deklaroi ai.

    Lumezi tregoi që operacioni “Pika” nuk e ka pikën këtu, pasi që tash do të merren me personat që dhanë ryshfet, që kryesisht janë shtetas të Shqipërisë.

    “Ndërsa, personat tjerë ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve janë në arrati, disa edhe nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës. Por, në këtë drejtim jemi duke bashkëpunuar edhe me autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të siguruar informacione edhe prova, të cilat do të na shërbejnë në procedurë penale në Kosovë, apo në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh kryeprokurori.

    Bardhyl Haxhimustafa i cili ishte shefi i organizimit të operacionit ‘Pika’ tregoi se u deshën më shumë se 10 muaj për mbledhjen e provave që në fund të kryheshin edhe arrestimet.

    Ai ka treguar për InDoks detaje shtesë nga operacioni.

    Bardhyl Haxhimustafa – IPK

    “Faktikisht grupi hetimore i cili është përbërë prej 14 zyrtarëve të IPK-së qysh prej kohës ka fillu me përgatitje me planet operative lidhur për operacionin “PiKA”, kemi pasur kohë mjaftueshëm që të përgatitemi dhe ta analizojmë çdo detaj se si do të rrjedh operacioni dhe mendoj që me ditën e konkretizimit të operacionit “Pika”, gjithçka ka shku sipas planifikimit paraprak”, ka thënë ai për InDoks të Gazetës Insajderi.

    Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe vet drejtorin Samedin Mehmeti nuk e dinin që 48 policë të tyre ishin nën hetime. U njoftuan vetëm pak ditë para operacionit sa për të gjetur çare për ti zëvendësuar. Që të mos bllokohej kalimi i qytetarëve në kufi. Praktikisht i tërë ndërrimi dhe gati një stacion i tërë policor u desh të arrestohej për krimin e ryshfetit. Por, një zyrtar i lartë i Policisë ishte në dijeni për këtë dhe ndihmoi që të zbardhje krimit. Nexhmi Krasniqi.

    “…Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së javën e fundit e ka informu drejtorin e PK-së se IPK do të ketë një aksion ku do të arrestohen një numër i madh i zyrtarëve policorë në dy pikat kufitare, në Qafë Prushë e Morinë. Kjo është bë për arsye që menaxhmneti i lartë i PK-së të jetë i përgatitur lidhur me zëvendësimin e zyrtarëve policorë që do të mbulojnë ato pika dhe që të mos mbyllet qarkullimi për qytetarë dhe mallra të ndryshme në ato dy pika kufitare”.

    “Jo kësaj here nuk kemi pasur implikimin e drejtpërdrejt të PK-së në hetim të përbashkët por kësaj here do të thotë nga fillimi i hetimit të planit operativ rasti “Pika”, kemi pasur ndihmën e drejtpërdrejt të drejtorit rajonal të policisë kufitare dhe kolonel, Nexhmi Krasniqit”, theksoi Haxhimustafa.

    Operacioni “Pika” ka prangosur 25 zyrtarët policorë të pikës kufitarë Qafë Morinë dhe ata janë: Ahmet Krasniqi, Ahmet Shabanaj, Agim Hadërgjonaj, Besim Lokaj, Demë Lokaj, Fatmir Sadiku, Fazli Gjombalaj, Gani Ahmeti, Gëzim Hoxhaj, Gzim Shabani, Gëzim Turkaj, Haki Dobraj, Hamez Puka, Hysen Hasani, Isa Dobraj, Ismet Deva, Ismet Tahiraj, Kadri Selmonaj, Lush Himaj, Mergim Bekaj, Rasim Tolaj Skënder Meta, Xhemë Hadergjonaj, Xhevdet Haklaj dhe Xhavit Lokaj. 

    22 zyrtarë policorë dhe dy doganierë janë prangosur në pikën kufitare Qafë Prush: Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Perolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Labinot Morina, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Osmon Smajlaj, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi, Uran Mati, Aqif Blyta, Blerim Xhiha, Bardhec Berisha, Burim Kajtazi, Bekim Berdynaj, Kol Biblekaj, Mehdi Ukshini, Ramiz Ahmetaj dhe dy zyrtarët doganorë, Enis Turtulla dhe Senad Zherka.

    Për çka dyshohen këta zyrtarë?

    Secili prej tyre del që është kapur në kamerë e përgjim më shumë se sa një herë duke marrë ryshfet. Dosja zbulon se ryshfeti merrej prej gjerave më të vogla si kalimi i kufirit pa dëshmi të vaksinës ose testit anti-covid e deri te kalimi i 500 kilogramëve me bimë shëruese, që dyshohet se ishte drogë mariuhanë.

    Këtij rasti IPK-ja dhe Prokuroria Speciale i kanë kushtuar një vëmendje të theksuar në dosje. Rasti ndodhi më 25 gusht 2021. Në 7 të mbrëmjes, kur një qytetar i Shqipërisë kishte ardhur tek policët e përfshirë në këtë rast Benon Këpuska, Agron Bejtullahu e Artan Thaqi. Ky shtetas shqiptar iu tregon se pas pak do të vijë një veturë që ka brenda 500 kilogramë bimë shëruese. Pas negociatash, policët pajtohen që ta lënë të kaloi atë nesë ua jep nga 100 euro sejcilit. Debati pastaj vazhdon ku Këpuska iu thotë dy të tjerëve “500 kilogram, ndoshta kanë vlerë” e Bejtullahu ia kthen që “Kanë vlerë more” derisa debatin e mbyll Këpuska duke thënë “Bari more burrë”.

    Si përfundim, kontrabandisti vjen. E kalon veturën në territorin e Kosovës dhe duke dalë nga kontrolli iu thotë policëve “i ke i ke në librezë”, ku dyshohet se ishin paratë e ryshfetit. Situata nuk perëndon me kaq pasi që këta policë fillojnë të stresohen pasi që kontrabandisti shqiptar kur i mori dokumentet e la në kabinë telefonin.

    Këpuska ka edhe disa raste të tjera, derisa Insajderi raportoi edhe për shoqërim të tij me deputetin e PDK-së, Hajdar Beqa.

    Ky i fundit kishte reaguar në fillim për ta mohuar këtë shoqërim, por në një përgjigje Insajderi kishte sjell fakte të reja të njohjes mes policit të arrestuar Këpuska dhe Hajdar Beqës, deputet.

    Në disa raste në Dosje përmendet që policët kosovarë morën ryshfet për të lejuar që të kalonin kufrin persona që kontrabandonin gështenja e kërpudha.

    Kalimi i kilogramëve të shumë të kërpudhave, por që nuk definohet tutje nëse ishin vërtetë kërpudha apo ishte kod i kontrabandistëve për ndonjë produkt tjetër kishte shkuar me raste 50 euro ryshfet e një rast edhe në 105 euro për ta kaluar një furgon kërpudhash. Policët që e bënin këtë, në fakt nuk e kishin kontrolluar veturën nëse vërtetë kishte vetëm kërpudha.

    As për gështenjat nuk dihet nëse ishte fjalë e koduar për ndonjë mall tjetër apo vërtetë po kontrabandohej ky frut, por ai përmendet në disa raste në dosje.

    Policët që dyshohet se pranonin ryshfete për këtë mall e matnin me thasë. Për deri në 5 thasë policët nuk e bënin telashe, i merrnin paratë që ishin futur brenda dokumenteve të kontrollit, ia kthenin dokumentet pas, dhe kur çoheshin nga karrigeja i nxirrnin nga vendi që herë ishte një letër në tavolinë e herë nën këmbë, dhe i fusnin në xhep. Shpesh në xhepin e pasmë të pantallonave.

    Dosja që e ka InDoks zbulon se në disa raste në këmbim të ryshfetit policët e arrestuar kalonin edhe persona që nuk donin që të regjistroheshin fare se kanë hyrë në Kosovë. Në se paku dy raste kjo u është mundësuar tre personave me pasaporta franceze.

    Në një rast dy policë u kapën duke folur me një civil që iu thoshte se vijnë dy persona të tjerë që nuk duanë që të regjistrohen në sistem dhe kanë pasaporta franceze. “Karramelat i ke në pasaportë”, iu tregonte ai se si do të vepronin. Këta dy persona, njërin prej të cilëve e ka identifikuar IPK-ja më vonë, e kaluan kufirin për 20 euro ryshfet pa u regjistruar.

    Edhe në një rast tjetër një shtetas i Shqipërisë bashkë me një person me pasaportë franceze e kalojnë kufirin pa u regjistruar pasi që brenda pasaportës ai i Shqipërisë, dyshohet se iu dha para policëve kosovarë.

    Bedri Elezi, një ekspert i sigurisë që bën raporte edhe për punën e institucioneve të sigurisë, ka folur pikërisht për rrezikun e kalimit të kufirit pa u regjistruar në sistem edhe nga persona të rrezikshëm.

    “Edhe në të kaluarën kemi pasur arrestime të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, sikur në këtë rast e veçanta në këtë rast ishte sepse kemi të bëjmë vetëm me dy pika kufitare dhe mund të them se kemi të bëjmë gati me një stacion policorë, që i bien se që kemi të bëjmë me komplet ndërrimet e një pikë kufitare, çka më lenë më dyshu që çështja e sigurisë qytetare është goxha keq për faktin se është cenu siguria e Kosovës në kuptimin e cenimit të sigurisë së kufijve ngase policët që kanë qenë në numër të madh për mos me thënë krejt, neve kemi informacion se veç një zyrtar policor nuk është i përfshirë atëherë të lenë me nënkuptu që ajo pikë, ai vend ka qenë një pikë, një korridor i grupeve kriminale apo edhe të tjera dhe për mua më së shumti shqetësuar ka qenë fakti që ky hetim është zhvillu vetëm për 10 muaj, dhe çka para 10 muaj dhe çka pas”, tha Elezi.

    Në anën tjetër, Hisen Berisha, deputeti i Partisë Demokratike njëherit anëtar i Komisionit për Siguri e cilësoi si spektakël e propagandë rastin ‘Pika’. Për një arsye të vetme.

    Hisen Berisha – PDK

    “Spektaklet, propaganda si në rastin “Pika”, po mendoj se në ambient qeverisës ku ka kriza të vazhdueshme ose kalojmë nga një krizë një tjetër dhe kriza e ardhshme e mbulon të parën është në vazhdën e kësaj për t’i c ‘orientuar për të shmang vëmendjen nga ajo çka është krizë reale në këtë vend”, tha Berisha për InDoks.

    Berisha mendon që është dëmtuar imazhi i Policisë së Kosovës dhe mendon që Qeveria e ka tentuar ta përdor këtë operacion për nevoja politike.

    “Me këtë nuk duhet me kuptu se unë jam kundër për luftimin e krimit, jam, ka ndodhur në vazhdimësi luftimi i krimit jo vetëm në këtë qeverisje, qeveritë e kaluara mbahen në mend për luftime edhe për arrestime më të madh për krime edhe më të rënda që kanë shkuar deri në evazion fiskal. Në krim në shëndetësi, arsim kudo, mirëpo spektakli dhe propaganda nuk duhet të jetë pjesë, pse, sepse mund të ketë nëse i shohim efektet, mund të ketë një efekt prevenues ndaj krimit, pretendimit për krim por mund ta ketë edhe një efekt paralajmërues ndaj kriminaleve por mund ta ketë edhe një efekt tjetër negative në imazhin e institucioneve sepse po flasim për një rast kur një polic paska pirë një kafe me një qytetar që ka kaluar nëpër pikën kufitare dhe u përmend një 20 eurosh, e pashë diku nëpër portale këtë farë afere dhe tash po identifikohet e tërë policia me një dukuri të tillë negative po prishet imazhi i institucionit”, tha Berisha.

    Derisa ministra në Qeverinë e Albin Kurtit deshën ti jepnin kahje politike operacionit “Pika” me arsyetimin se po luftohet krimi tash kur ka ndërruar pushteti, këto pamje dëshmojnë të kundërtën. Operacioni i madh i IPK-së që arrestoi policë të përfshirë në kontrabandë e bixhoz ilegal në kufirin Kosovë-Serbi, ndodhi në kohën kur Kryeministër ishte Avdullah Hoti.

    InDoks për këtë operacion ka transmetuar dokumentarin “Dosja Karaçeva”.

    Kur u arrestuan policët që po bënin kontrabandë e merrnin ryshfet në pikat kufitare në Veri të vendit, Kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

    Edhe për këtë operacion InDoks kishte transmetuar dokumentarin “Mafia e veriut”, që pos operacionit shpërfaq edhe operimin e grupeve kriminale atje si grupi i Millan Radojçiq e Zvonko Veselenoviç.

    Ku, madje disa nga policët e hetuar në atë rast bashkëpunonin me këto grupe kriminale të fuqishme dhe me lidhje politike.  Operacione të tilla të Prokurorisë e IPK-së për policë të korruptuar ishin bërë edhe në kohë kur me Qeverinë po drejtonin Kryeministra të tjerë.

    Për këto operacione foli edhe Haxhimustafa i IPK-së.

    “Fillojmë prej rastit ‘Pika’, rasti ka filluar të hetohet dikun nga fundi i muajit maj fillimi i muajit qershor të vitti 2021, aty kemi marrë informacionet e para konkrete sepse më herët kishte informacione rreth korrupsionit nëpër pikat kufitare, sa i përket këtyre dy pikave ishte informacioni konkret sa i përket këtyre dy pikave në fillim të muajit qershor dhe ideja e kryeshefit ekzekutiv dhe neve të cilët morëm këtë informacion ishte që të bëjmë një miks të hetueseve, të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha rastet që ju i përmendët”.

    “Grupi hetimor është përbë prej hetueseve të cilët kanë hetuar rastin e autostradës, ky rast është konkretizu në fillim të dhjetorit të vitit 2016-të ku kemi pasur të arrestuar 59 zyrtarë policorë nga njësit e trafikut rrugor të regjioneve të ndryshme dhe të Njësisë së Autostradave, mandej kemi pasur hetues të cilët kanë marrë pjesë në hetimin e rastit të veriut, i cili rast është konkretizuar në muaj maj të 2019, ku kemi arrestuar qytetarë dhe zyrtarë policorë mbi 40 si dhe hetues të cilët kanë marrë pjesë në rastin e Karaçevës, ku edhe në këtë rast me Prokurorinë Themelore janë arrestu dikun rreth 70 persona, në mesin e tyre 15 zyrtarë policorë”.

    Kodet e përdoruara për marrjen e ryshfetit

    E te operacioni i fundit i koduar “Pika”, dosja që e ka InDoks zbulon edhe situata ku policët që merrnin edhe me humor marrjen e ryshfetit duke mos e pasur idenë që kabinat e tyre tashmë ishin nën përgjim nga IPK-ja.

    Nga frazat që u bënë hit në internet ishte ajo kur një shofer kamioni u detyrua të jeptë ryshfet që të kalonte kufirin, dhe krejt kjo erdhi pasi që njëri nga të arrestuarit iu kishte drejtuar me : “A ka ndonjë kafe a ndonjë send për këta burra a jo?”.

    Në një tjetër rast, që ti kalonte shtetasit e Shqipërisë pa test anti-covid e duke u marrë para ryshfet, polici kosovar fillimisht iu drejtohet me “kur është Bajrami” një festë fetare ku shkëmbehen edhe dhurata e ëmbëlsira. Pasi që i merr paratë dhe i lë që të kalojnë, iu thotë “A ka Bajram tash a”?

    Në një tjetër rast njëri nga policët veçse i kishte marrë paratë e ryshfetit, por duke mos dashur ti ndante me kolegun e tij e çon atë drejt ofendimit. Biseda e incizuar mes tyre fillon kur polici që nuk përfitoi në atë rast e pyet tjetrin “jo kurrgjë”, qy kurrgjë?, qeni i flliqt”.

    Dosja zbulon se ishin krijuar edhe kode tjera pos kafes. Në një rast një shtetas i Shqipërisë për të mos u kontrolluar në kufi ua jep paratë direkt policëve duke iu thënë “qe qitu një sok”. Ky polic ia tregon kolegut tjetër paratë duke i thënë “ai djali i ka gju qito”, e kolegu e udhëzon që të mos i lë mbi tavolinë. Do ti ndanin më vonë ato para.

    Në Dosje zbulohet se në një moment krijohet edhe kolonë derisa një qytetar ua jep 20 euro që i ndajnë bashkë policët. Pastaj e vazhdojnë bisedën duke thënë “Allahu të rujt”, e tjetri ia kthen “kështu bashkërisht gjithmonë që ja kemi ba”.

    Policët kishin tentuar që të mos binin në përgjime pasi që në disa raste e fiknin edhe dritën e kabinës kur i merrnin paratë e ryshfetit ose i ndanin ato me policë të tjerë, por në kabina ishin instaluar edhe kamera të tjera jo veç ato të Policisë.

    Ndërkohë, avokatët mbrojtës duke folur për InDoks kanë dyshimet e tyre nëse IPK-ja dhe Prokuroria Speciale ka prova të mjaftueshme për atë që i ngarkon policët e doganierët e arrestuar.

    Bledar Gashi – avokat

    “Pala që unë e përfaqësojë, që jam i angazhuar sipas detyrës zyrtare i njëjti kurrë më parë  nuk ka pasur ndonjë problem me ligjin pra nuk është recidivist dhe i njëjti dyshohet sipas kërkesës së prokurorisë vetëm dyshohet nuk ka ndonjë aktakuzë ende të ngritur, i njëjti dyshohet për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kërkesën e prokurorisë vetëm ceket se i njëjti ka marrë disa shuma të parave por që nuk specifikohet se çfarë shuma të parave të ketë marrur”, tha Bledar Gashi, avokati i Ahmet Shabanit, zyrtarit policor.

    Arbër Jashari, një nga avokatët e angazhuar në këtë rast, ka vërejtjet e tij tek mënyra se si në publik u shfaq operacioni “Pika”.

    Arbër Jashari – avokat

    “Ajo çka duhet të them është që ky rast është trumbetuar si rast i madh, mega rast  dhe kur e sheh ti prokurorin e shtetit, kur I sheh figurat më të larta të institucioneve ligjvënës në konferencë për media mendon që ka të bëjë më kontrabandime ose me shkelje jashtëzakonisht të mëdha, madje është përmend se është cenu siguria kombëtare nga ai që kemi pa në kërkesën e prokurorisë bëhet fjalë p.sh tek klienti im që I ka lëshuar pa doganuar ose pa I përfillur procedurat doganore ose administrative të disa kombeve me kërpudha apo me gështenjë e që janë në shuma të vogla dhe që nuk kanë ndonjë vlerë të madhe monetare ose shpesh përmendet që ka marrë ryshfet, që janë të gjitha mi bë bashkë e kapin vlerën mbi 100-200 euro, duke variuar nga 5 euro në 15-20 euro e në disa raste të veçanta, ose në disa raste në shuma të pa specifikuara të pareve”, tha Jashari avokat i Mehmet Manxhukës.

    Ndërkaq, Bedri Elezi thotë imazhi i policisë së Kosovës është dëmtuar nga operacioni “Pika”, por jo me fajin e askujt tjetër pos të vet Policisë së Kosovës. Madje ai ka dyshimet e veta edhe për imazhin që është ndërtuar deri tash për këtë institucion dhe ve dyshime mbi hulumtimet e sondazhet që e nxjerrin Policinë si institucion të besueshëm.

    “…Merrni dhe shihni se sa stacione të Policisë kanë shpallë policët më të mirë të vitit dhe të gjithë policët më të mirë të stacionit janë, zyrtarë të policisë të cilët kanë shqiptuar më së shumti tiketa do të thotë faktikisht neve guxojmë të themi se Policia e Kosovës është shndërru në polici të tiketave. Ky është elementi i parë se vlerësimi për të cilin thatë ju më herët se është institucion i besuar është i pasaktë dhe besoj që këto hulumtime janë të porositura sepse megjithatë neve nëse dalim të bëjmë një simulim të vogël mund të shohim se cili është realiteti në terren”, tha Elezi për InDoks.

    Grupi i policëve e doganierëve, me ndonjë përjashtim për raste shëndetësore tashmë janë në paraburgim. Provat e cituara në Dosje janë në posedim të organit të akuzës. Një gjykim jo i shkurtër i pret të arrestuarit dhe jo vetëm ata, por edhe qytetarët që dhanë ryshfet.

    Edhe ata nuk janë pak. Edhe shumë të tjerë janë në proces identifikimi në bashkëpunim edhe me Republikën e Shqipërisë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark