Kush janë emrat që mund t’i bashkohen partisë së re të Vjosa Osmanit?

Kush janë emrat që mund t’i bashkohen partisë së re të Vjosa Osmanit?

Vjosa Osmani, ish-kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur ta lë partinë në të cilën u zhvillua, dhe u rrit politikisht.

Gruaja më e votuar në zgjedhjet e tetorit të kaluar, tha mbrëmë se përfundimisht do t’i ndaj rrugët me partinë e themeluar dikur nga idoli i saj, presidenti Ibrahim Rugova, shkruan Gazeta Insajderi.

Deri te vendimi erdhi pas shumë mospajtimeve që ajo kishte me strukturat udhëheqëse të LDK-së së udhëhequr nga Isa Mustafa.

Kryetari i partisë që tani e ka pushtetin, kishte deklaruara se gruaja që dikur ia kishte besuar nominimin për kryeministre, nuk kishte më vend në LDK-në e tij.

Për me tepër, ai edhe kishte iniciuar kërkesën për shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së Këshillit të Përgjithshëm, me arsyetimin se nuk kishin qëndrime të njëjta.

Si për të treguar se ajo nuk është e varur nga “dashuria e saj e parë”, Osmani që tash e mban edhe postin e kryetares së Kuvendit, tha mbrëmë se do ta krijojë një frymë të re politike, ndonëse s’e bëri të ditur se me kë do ta marrë rrugën e re, shkruan Gazeta Insajderi.

Një ditë pas lajmit – mediat kanë përmendur emrat e disa prej figurave të LDK-së – që mund t’i bashkohen Osmanit në krahun e ri politik – që në zgjedhje pritet të garojë përmes listës zgjedhore të Vetëvendosje së Albin Kurtit.

Lutfi Haziri, Haxhi Avdyli, Lumir Abdixhiku… pjesë e Vjosa Osmanit?

Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet t’i bashkohet Vjosa Osmanit në partinë e re.

Ndonëse ende nuk dihet me siguri, së paku kështu ka shkruar media e afërt me kryetarin aktual të Gjilanit.

Mediafokus.info shkruan se nënkryetari i LDK-së, Haziri dhe ish-nënkryetarja e partisë, Osmani, para disa ditësh, në njërin nga lokalet e Prishtinës, kanë mbajtur një takim disaorësh, për t’i harmonizuar qëndrimet rreth rrugës së re politike.

Dyshja Osmani-Haziri pritet të jenë dyshja udhëheqëse e të iniciativës së re qytetare. Pretendimet s’i kanë komentuar deri tash as Osmani, dhe as Haziri, shkruan Gazeta Insajderi.

Se do të jetë pjesë e kësaj iniciative gjatë ditës e ka konfirmuar edhe Haxhi Avdyli, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne jemi të detyruar të formojmë këtë iniciativë të re, pasi kreu i partisë na përjashtoi dhe nuk lejoi mendimin dhe mbajtjen e premtimit ndaj elektoratit të LDK-së, e aty ku nuk të lejohet që të përçosh mendimin dhe idetë, atëherë nuk na mbetet tjetër vetëm se të nisim një rrugëtim të ri politik”, tha Avdyli.

Ai tha se pjesë e kësaj nisme do të jenë edhe anëtarë e ish-anëtarë tjerë të LDK-së, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen e tanishme.

“Ka shumë anëtarë e ish-anëtarë të LDK-së por edhe veprimtarë të ndryshëm por edhe ekspertë të fushave të ndryshme nga shoqëria civile që do të na bashkohen. Ne jemi në fazën fillestare të krijimit të kësaj iniciative”, tha ai, shkruan Gazeta Insajderi.

Kundër bashkëpartiakëve të tij që mendohet se do ta lënë partinë më të vjetër në vend, ka dalë Lumir Abdixhiku. Ai tha sot gjatë ditës se nuk e ka alternativë largimin nga LDK-ja.

“Nuk e di pse po bëhet temë largimi im nga LDK. Nuk ka qenë, s’është dhe s’do të jetë asnjëherë alternativë e imja”, tha Abdixhiku, shkruan Gazeta Insajderi.

Mbetët të shihet gjatë ditëve në vazhdim se si do ta emërojë Vjosa Osmanin iniciativën e saj të re, dhe kush saktësisht do t’i bashkohet asaj në linjën e re politike./Gazeta Insajderi/