×
Hulumtime/Analiza

Ekskluzive: Biznesmeni me dosje voluminoze për mashtrime mposhtë Qeverinë Kurti

Insajderi
25 May 2022 - 15:39
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, një nga trupat gjyqësor që njihet për zvarritje me vite të lëndëve, për pak muaj ka vendosur në favor të Haziz Tafajt. Tafaj, një biznesmen nga Suhareka me këtë vendim mund ta kthehet në menaxhim të ndërmarrjes “Agro Kosova”, ani pse atë ia morri AKP-ja muaj më parë, derisa me hetimet penale që janë zhvilluar ndër vite ndaj tij ai ka imazhin e njërit nga mashtruesit më të famshëm në vend

Visar Duriqi

Për vite me radhë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme është kritikuar për zvarritje të lëndëve. Në një moment, Avokati i Popullit madje kishte njoftuar se ka marrë 49 ankesa po për zvarritje të rasteve në këtë trup gjykate, që merret me rastet e privatizimeve në vend.

Por, kjo gjykatë për pak muaj ka vendosur në favor të biznesmenit nga Suhareka, Haziz Tafaj, që të ia kthej ndërmarrjen “Agro Kosova” atij. Agjenconi Kosovar i Privatizimit me 31 janar të këtij viti kishte marrë vendim që ndërmarrja të merrej nën menaxhim nga Tafaj.

Siç është raportuar të mërkurën, Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e biznesmenit Aziz Tafa kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për rastin e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

Supremja, në një aktgjykim të shpallur të mërkurën, ka urdhëruar AKP-në të kthejë rastin në gjendjen e mëparshme dhe ka urdhëruar AKP-në që të ekzekutojë këtë vendim brenda disa ditësh.

Agjencia e Privatizimit: Tafaj ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor

Pas publikimit të emisionit “Mashtrimi i madh”, të InDoks i transmetuar në dhjetor të vitit që lamë pas, shteti i Kosovës kishte vendosur që biznesmenit nga Suhareka, Haziz Tafajat të ia marrë ndërmarrjen “Agro Kosova”.

InDoks për të bëmat e Tafajt realizoi një hulumtim disa mujor, ekskluzivisht mori në intervistë edhe biznesmenin italian, Gianfranco Fantinel, që e konsideron vetën viktimë të Tafajt në procesin e privatizimit të AgroKosovës

“Bordi i Drejtorëve merr vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”)”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga AKP.

Fantineli, biznesmeni multimilioner i cili dështoi të investojë në Kosovë për shkak siç thotë ai mashtrimit që ju bë nga një grup, në krye me biznesmenin kosovar, Haziz Tefaj thotë se për rastin e tij ishte i njoftuar edhe ish-kryeprokurori, Aleksandër Lumezi.

AKP në reagimin e tyre numërojnë një sërë shkeljes ‘Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve të njëpasnjëshme, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor si dhe në përputhje me Marrëveshjen e Zotimit, Bordi i Drejtorëve  ka aprovuar tërheqjen e aksioneve të Ndërmarrjes së Re “AgroKosova Holding sh.p.k.” Suharekë dhe kthimin e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

NSH “NBI Suhareka/Agrokosova Holding”- është privatizuar më datën 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999.00 euro.

“Si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Ende nuk ka vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor”, thuhej në njoftimin e AKP-së, ku bëhej e ditur që Dhoma e Posaçme nuk po vendos për këtë rast, derisa e njëjta Gjykatë ka vendosur në afat rekord kundër AKP-së këtë të mërkure.

“Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve të zotuar për punësime sipas kontratës. Në anën tjetër, shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79% të zotimit për investime përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë EUR 7,378,005.82 nga vlera prej EUR 8,600,000.00 të zotuara sipas kontratës”, thuhej në njoftimin e AKP-së ku bëhej me dije që, që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga auditorë të pavarur.

Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime.

AKP-ja e kishte akuzuar Tafajn që e “ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë”, dhe thuhej se rreth 630 mijë euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve.

Dosja voluminoze- Gjashtë kallëzime penale për mashtrim kundër Haziz Tafajt

InDoks në dokumentarin “Mashtrimi i Madh”, pati publikuar edhe dosjen e plotë të Hetuesisë së Policisë së Kosovës të deponuar në Prokurori, që ekspozonte rastet e dyshuara për mashtrim nga Haziz Tafaj.

Është një kallëzim penal që vetëm përshkrim përmban mbi 20 faqe, derisa i janë bashkangjitur dosjes edhe dhjetëra dokumente e deklarata- një dosje voluminoze.

Në këtë dosje që është deponuar në Prokurori, Policia e Kosovës gjen që madje dhe paratë e subvencioneve për vreshta që janë marrë në emër të AgroKosovës, Qeveria ia kishte derdhur Haziz Tafajt në një xhirollogari që nuk ishte e kësaj kompanie të privatizuar, por një kompani tjetër e të njëjtit. Në këtë rast, në xhirollogarinë e firmës tjetër të tij, QMI-së, janë deponuar në emër të subvencioneve të shtetit e për nevojat e AgroKosovës.

Në faqen 14 të dosjes së hetuesisë thuhet që në këtë xhirollogari nga subvencionet janë pranuar mbi 1.3 milionë euro.

Në dosjen e hetuesisë, janë evidentuar së paku 6 situata që i përshkruhen Haziz Tafajt si keqpërdorime serioze, për çka edhe u kallëzua në Prokurori. Në një pjesë i referohen si recidivistë i krimeve.

Pas asaj me subvencionet bujqësore, hetuesit rëndësi i kanë dhënë rimbursimit të parave nga ATK-ja. Hetuesia e Policisë thotë në këtë dokument që Haziz Tafaj, rrejshëm i ka mashtruar zyrtarët e ATK-së dhe në emër të AgroKosovës ka përfituar nga ky institucion afro 600 mijë euro rimbursim, e që i kanë kaluar në një xhirollogari që nuk ishte e këtij biznesi, por e QMI-së.

InDoks e pati pyetur ATK-në se si kanë vepruar pas këtij rasti, por të njëjtit nuk kanë komentuar.

Në anën tjetër ndryshe deklarohnte GjonFranko Fantineli.

“Haziz Tafaj, pas falsifikimit të Statutit të Kompanisë, ka njoftuar të gjitha institucionet, bankat, zyrat e TVSH-së, zyrat e ministrive dhe QMI-ja ka hapur një llogari rrjedhëse në Bankën TEB me emrin: QMI – Agrokosova. Të gjitha pagesat janë mbledhur nga QMI (p.sh., shpronësimi i tokës për ndërtimin e autostradës, kontributet bujqësore, arkëtimet e TVSH-së etj.)”, ka thënë Fantineli.

InDoks për krejt akuzat që në intervistë ia bënë GjanFranko Fantinell Haziz Tafajt, e ka kontaktuar këtë të fundit për ti komentuar. Në vend të prononcimit, një avokat i tij ka dërguar një përgjigje me shkrim.

“Pretendimet e ngritura në intervistën e z. Fantinel janë tani më pretendime të konsumuara, sepse të njëjtat ishin objekt shqyrtimi në gjykatat kompetente e për të cilat gjykatat e të gjitha instancave në Kosovë kanë vendosur në mënyrë meritore. Ngase gjykatat për çështjen kanë vendos meritorisht , Ligji për Avokatinë dhe Kodi i Etikës nuk lejon të komentohen Vendimet përfundimtare të gjykatave. Askush nuk e ka të drejtën të mbivendos në çështjet gjyqësore RES JUDICATA. Në kontekst të kësaj, askush nuk e ka të drejtën të krijon opinione ndryshe nga arsyetimet ligjore të cilat i kanë dhënë gjykatat e të gjitha instancave”, thuhej në përgjigjen e avokatit të Haziz Tafaj.

Në dosjen e Policisë së Kosovës është evidentuar edhe diçka tjetër në rastin kur po e hetonte Haziz Tafajn. Ata tregojnë që ndaj tij është ushtruar kallëzim penal nga hetues në Prishtinë se në tri raste të ndryshme në xhirollogari në emër të shpronësimit të pronave ka pranuar mbi 600 mijë euro nga Qeveria e Kosovës.

Edhe hetuesit e Policisë së Kosovës kishin hetuar pistën e ndryshimit të aksioneve në Agjencinë e Bizneseve. Se si u bë që Haziz Tafaj nga aksionar i vogël, të përfundoi në aksionarin e madhe të AgroKosovës.

Në këtë dokument thuhet se Hetuesia dyshon se ai e ka falsifikuar nënshkrimin, e atëherë, aksionarit të madh, GjanFranko Fantinell, dhe nga aksionar me 30 %, përmes proceseve gjyqësore, ka arritur që të bëhet aksionar me mbi 80 % të aksioneve në AgroKosovë.

InDoks e ka pyetur AKP-në për këtë situatë. Në AKP thonë që me miratim të tyre në vitin 2011 situata e aksioneve ka qenë që Fantinell është aksionar me 70 %, derisa firma e Haziz Tafajt, QMI-ja, me 30 % të aksioneve. Se cka ka ndodhur tutje nëpër gjykata, se si u bë që Tafaj të bëhet aksionari më i madh në firmë, ata thonë që nuk i komentojnë vendimet e Gjykatave.

Në dosjen e Policisë së Kosovës që e posedon InDoks, e që janë evidentuar provat me të cilat hetuesit ngrenë dyshime për një seri krimesh të kryera nga Haziz Tafaj, një gjë vërehet shpesh. Ata evidentojnë që rastet penale ndaj këtij biznesmeni përfundojnë me pushim hetimesh. Pjesë e mirë e këtyre rasteve kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë e Prizrenit.

InDoks e kishte pyetur Kryeprokurorin aktual të kësaj prokurorie, Admir Shala, i cili në një përgjigje tregon atë që tashmë dihet që lëndët kanë përfunduar me pushim të hetimeve, pasi që lëndët kanë arritur kohën e vjetërsimit. Por, asnjë shpjegim se si u lanë që të vjetërsoheshin. Madje nuk është përgjigjur edhe nëse janë hetuar brenda për brenda institucionit prokurorët që janë marrë me hetimin e rasteve të Haziz Tafajt, që përfunduan me pushim të hetimeve.

Ai kishte konfirmuar në dhjetor 2021 se bazuar në një kallëzim penal të deponuar nga një avokat, ndaj Haziz Tafajt dhe dy personave të tjerë është një lëndë në punë në Prokurorinë e Prizrenit.

Haziz Tafaj ka pasur deri kohë më parë edhe një proces të hapur në gjykatë ku akuzohej se ka mashtruar një italian tjetër. Shtetasi italian Gian Paolo Gortani, në maj të 2019-ës deklaronte se është dëmtuar në vlerë prej dy milionë e 270 mijë e 514 euro , për shkak të mashtrimeve që sipas tij, ishin bërë me blerjen e disa pronave në Prishtinë dhe në Lipjan.

Edhe ky rast përfundoi në favor të Tafajt. Lënda ishte bartur nga një gjyqtar tek tjetri derisa vendimi final u dha: lënda është vjetërsuar.

Për aq sa ka të dhëna, Policia e Kosovës i ka thënë InDoks-it se në vitet e fundit e ka arrestuar së paku dy herë Haziz Tafajn. Në njërin rast, Prokuroria e lëshoi në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark